Home ALBANIA Analiza e taksave dhe parashikimi i të ardhurave: Çfarë të analizohet së...

Analiza e taksave dhe parashikimi i të ardhurave: Çfarë të analizohet së pari?

Sistemi tatimor i një vendi pasqyron reagimin e tij evolucionar ndaj ndikimeve të ndryshme sociale, ekonomike, dhe politike

314
0
SHARE

Analiza e taksave dhe parashikimi i të ardhurave janë të një rëndësie kritike për qeveritë në sigurimin e stabilitetit në politikat tatimore dhe buxhetore. Për të kryer analiza efektive dhe në kohën e duhur të aspekteve të të ardhurave të politikës fiskale, qeveria e ka kthyer gjithnjë e më shumë vëmendjen drejt krijimit të strukturave që janë angazhuar direkt me parashikimet e politikës tatimore në vend.

Për të siguruar një buxhet të balancuar si dhe për të kufizuar financimin e deficitit është me rëndësi të madhe për Ministrinë e Financave që të jetë në gjendje të monitorojë në mënyrë efektive jo vetëm anën e shpenzimeve, por edhe të ardhurat tatimore mbi një bazë të rregullt. Në varësi të nivelit të sofistikimit të sistemit të monitorimit është e mundur që të gjenden burimet kryesore të mbledhjes së të ardhurave në baza javore apo ditore.

Një matje e duhur e mbledhjes së të ardhurave aktuale është e mundur vetëm në qoftë se ka një bazë të dhënash të mirë-zhvilluar. Kjo bazë të dhënash duhet të japë informacionet kryesore për analizën e funksioneve tatimore, duke përfshirë edhe përgjigjet e reagimeve ndaj masave të reja tatimore, parashikimin e të ardhurave dhe analiza të shpenzimeve tatimore.

Në procesin e formulimit të politikave, parashikimi i efekteve të tyre duhet të peshojë elementët e modelimit tatimor sipas kritereve themelore, të tilla si: (a) efikasiteti ekonomik, (b) rritja ekonomike, (c) garantimi i përmbushjes së të ardhurave dhe të stabilitetit fiskal, (d) sistem i thjeshtë taksimi, dhe (e) administrim dhe pajtueshmëri me kosto të ulët.

a) Para së gjithash, çdo tatim mbi mallrat dhe shërbimet e rrit çmimin e një të mirë duke shtuar një përqindje të çmimit (ne perqindje proporcionale ndaj vleres), ose një sasi të caktuar parash (tatim mbi njesi malli ose sherbimi) te çmimi fillestar. Kjo krijon një hendek ndërmjet vlerës që konsumatori paguan për mallin/shërbimin (çmimi i kërkesës) dhe kostos së burimeve ekonomike të prodhimit (çmimi i ofertës). Nëse tatimi nuk është projektuar për të kompensuar një tjetër efekt në treg, ai do të krijojë një shtrembërim që do të ndikojë në sjelljen e konsumatorëve/ prodhuesve. Një shtrembërim i tillë do të ketë një kosto të shtuar që duhet ta mbajë ekonomia.

Kriteret e efikasitetit për çdo sistem tatimor kërkojnë që taksimi të jetë neutral. Taksimi nuk duhet të krijojë as shtrembërime të mëdha në konsum dhe prodhim, por as të ndryshojë vendimet private për investime duke favorizuar një grup investitorësh mbi të tjerët.

Shtrembërimet e tregut, të çdo lloji, si rezultat i një takse, krijojnë një humbje të efikasitetit ekonomik (p.sh., një humbje të konsumit dhe të tepricave nga prodhimi). Madhësia e kësaj humbje varet kryesisht nga elasticiteti i çmimeve të kërkesës dhe ofertës të artikujve në ato tregje të ndikuar nga deformimi prej taksës, si dhe nga norma e imponuar e saj. Sa më i lartë elasticiteti i çmimit të kërkesës / ofertës, aq më e lartë është mungesa e efikasitetit te diktuar në treg nga tatimi. Gjithashtu, normat e larta tatimore çojnë në kosto më të mëdha të efikasitetit ekonomik. Një taksë është e thënë të jetë efikase nëse renia e efikasitetit është e vogël. Këto renie të efikasitetit mund të jenë thelbësore. Disa nga studimet mbi rënien e efikasitetit për Shqipërinë kanë gjetur që të jetë në nivelin midis 15 deri 50% për 1 lekë të ardhur tatimore.

Tatime të tilla si: tatimi mbi të ardhurat ose tatimi mbi vlerën e shtuar me një mungesë elasticiteti të kërkesës/ofertës kanë tendencë të kenë një ndikim më të vogël te prodhuesit apo sjellja e konsumatorëve dhe për këtë arsye shkaktojnë më pak shtrembërime në ekonomi. Aktualisht, efikasiteti ekonomik i një takse është një çështje e rëndësishme, edhe pse jo konsiderata e vetme, kur dizenjohet një sistem efikas tatimor.

b) Çdo sistem i mirë tatimor duhet të nxisë rritjen ekonomike në vendin e tij. Nxitja kryesore duhet të jetë nëpërmjet zgjerimit të kursimeve dhe orientimit të investimeve në aktivitete që kanë normë të lartë të kthimit të investimit. Sistemi efikas tatimor duhet të jetë një pengesë për të mos patur dekurajim për punësim, i cili zakonisht është dukuri i vendeve me barrë të lartë tatimore mbi punën (tatime dhe sigurime).

Për të stimuluar rritje më të lartë ekonomike, sistemet tatimore të mirë-projektuar duhet të inkurajojnë rritjen konkurruese nëpër sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Edhe më e rëndësishme akoma se kaq është fakti që kemi provuar mjaft herë në këto 25 vite, që shtrembërimet apo mundësitë e krijuara nga një sistem tatimor nuk duhet të jenë argumenta për planifikimin e taksave, por të sigurojnë orientimin drejt përpjekjeve më produktive për uljen e normave të taksave, duke eleminuar tatimin mbi tatimin dhe duke synuar zgjerimin e bazës.

c) Shpenzimet buxhetore dhe vlerësimet e të ardhurave janë bërë zakonisht brenda një kornize të kufizuar supozimesh ekonomike duke reflektuar nivelin e pritur të normës së rritjes së Prodhimit të Brendshëm, normën e inflacionit dhe variablave të tjerë makroekonomikë. Vlerësimet e të ardhurave janë llogaritur në lidhje me këto variabla themelore makro. Përveç ndikimit të variablave makro, sfida në marrjen e ndonjë vlerësimi të të ardhurave qëndron në aftësinë për të parashikuar dhe për të inkorporuar përgjigjet e sjelljes në ndryshimet reflektuese të ligjeve tatimore.

Në përgjithësi, të ardhurat tatimore të qeverisë varen nga madhësia e bazës tatimore, nivelet e normave të taksave të miratuara në kuadër të sistemit të taksave, efikasiteti i administratës dhe niveli i pajtueshmërisë së taksapaguesve në pagimin e taksave. Taksat që janë prezantuar në vitet e fundit për mbushjen e buxhetit janë llogaritur të jenë të përshtatshme dhe të mjaftueshme për të financuar nevojat e shpenzimeve të qeverisë. Me fjalë të tjera, të ardhurat që janë planifikuar kanë synuar minimalisht të rriten po aq sa të ardhurat kombëtare dhe i gjithë sistemi tatimor është orientuar të zhvillohet për të rritur rendimentin e të ardhurave me kalimin e kohës.

Por a kanë qenë të mjaftueshme këto llogaritje dhe parashikime?

Në fakt të ardhurat tatimore në gjithë harkun kohor të dy dekadave të fundit kanë qenë të pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e shpenzimeve. Qeveria si rrjedhojë është mbështetur në huamarrjen, shtypjen e parave, shitjen e aseteve ose në periudha të caktuara buxhetore kanë ngadalësuar zbatimin e programeve të zhvillimit. Të gjitha këto veprime në përgjithësi kanë dëmtuar ekonominë, veçanërisht segmentin social më të varfër të shoqërisë shqiptare.

Për shembull, në vitet kur buxheti ka huazuar nga Banka Shqiptare përveç inflacionit që ka ardhur si një efekt i menjëhershëm, në mënyrë efektive janë zhvlerësuar edhe paratë e të varfërve në nivel disproporcional  më të lartë se ato të të pasurve. Prandaj, sistemi i taksave duhet të jetë i gjallë, që do të thotë se të ardhurat tatimore duhet të rriten me një normë të barabartë ose më të madhe se rritja e PBB-së. Për të siguruar këtë mekanizëm, qeveria duhet të adoptojë politika tatimore që përfshijnë sektorët në rritje të ekonomisë në bazën tatimore.

Ashtu si siguria e realizimit të të ardhurave është e rëndësishme për të financuar nevojat e qeverisë, po aq i rëndësishëm është stabiliteti i të ardhurave tatimore vit pas viti për të ruajtur vazhdimësinë e politikave fiskale të qeverisë. Në qoftë se të ardhurat tatimore kanë tendencë të luhaten me kalimin e kohës, kjo krijon një ambjent fiskal të pasigurt, që ndikon negativisht në programet qeveritare.

Kur të ardhurat bien, shpenzimet duhet të kufizohen.

Në procesin e modernizimit shpenzimet e para, të cilat priren të jenë shpenzimet për investime dhe zhvillim. Ngadalësimi i shpenzimeve të zhvillimit çon jo vetëm në uljen e shkallës së rritjes ekonomike afatmesme dhe afatgjatë por, në terma afatshkurtër programet e reja të zhvillimit zbatohen keq, duke rezultuar në vonesa, përshkallëzim të shpenzimeve dhe në fund  mundet të shkohet edhe në braktisjen e projekteve.

Kur sistemi tatimor është strukturalisht i paqëndrueshëm, ai bëhet një burim rreziku dhe imponon një tjetër element të joefikasitetit ekonomik në vend.

d) Thjeshtësia e sistemit tatimor duhet të zbatohet në administrimin e ligjit, si strukturë ku gjen vetveten politika fiskale. Kompleksiteti në administratën tatimore dhe “qepja” e keqe e ligjeve tatimore ndihmon për të nxitur korruptimin si nga ana e tatimpaguesve, po ashtu edhe nga tatimorët. Në një mjedis të tillë, shumica e përpjekjeve të tatimpaguesve dhe tatimorëve, të cilat mund të ishin përdorur në mënyrë konstruktive për zhvillimin ekonomik kanalizohen në fakt për ta shmangur sistemin.

e) Një sistem tatimor më transparent ul kostot e pajtueshmërisë së administratës. Duke qenë se të ardhurat tatimore të mbledhura shkojnë për të financuar nevojat e qeverisë, aëherë një kosto e lartë në mbledhjen e taksave ul të ardhurat neto në dispozicion të qeverisë. Në të njëjtën mënyrë, një kosto e lartë e pajtueshmërisë nga tatimpaguesit zvogëlon burimet në dispozicion të sektorit privat për aktivitete produktive. Për këtë arsye, një nga kriteret e një sistemi të mirë të taksave është administrim me kosto të ulët të pajtueshmërisë.

Por, nëse këto shpenzime përbëjnë një pjesë të madhe të të ardhurave tatimore, atëherë sistemi i taksave duhet të ristrukturohet.

Ndërmarrja e një propozimi tatimor nga struktura, e cila bën parashikimin e të ardhurave rezulton nga përdorja e mjeteve të ndryshme analitike për vlerësimin e sistemit në drejtim të efikasitetit dhe ndikimet në zbatim, si dhe në gjenerimin e të ardhurave potenciale.

Ka disa faktorë të përfshirë në përgatitjen e parashikimeve të të ardhurave të një sistemi tatimor.

Së pari është vlerësimi i elasticitetit tatimor. Vlerësimi i korrelacionit midis të ardhurave dhe reagimit të të ardhurave kombëtare i jep parashikimit tatimor një informacion të vlefshëm në sistemin tatimor. Ky kuptim ndihmon politikën tatimore në planifikim për ndryshimet e nevojshme tatimore, me besim dhe duke kërkuar përfshirjen në bazën tatimore të sektorëve më pluskuesë të ekonomisë.

Së dyti është vlerësimi i ndryshimeve në kushtet ekonomike. Ndryshimet në kushtet ekonomike kanë rol në ndryshimin e parashikimeve të supozimeve në mënyra të ndryshme. Për shembull, ndryshimet në sektorin e tregtisë së jashtme si pjesë e prodhimit të përgjithshëm në ekonomi ndikon në kapacitetin e tatueshëm të një vendi. Kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin e një vendi në zhvillim, në të cilin taksat mbi tregtinë përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave tatimore.

Po kështu, liberalizimi i sektorëve të caktuar të ekonomisë ndryshon automatikisht strukturën e tregjeve përkatëse për mallra. Shërbime dhe ndryshime të tilla si rrjedhojë do të ndikojnë në madhësinë e bazave tatimore. Zhvlerësimi i monedhës vendase do të ndikojë edhe në sasitë e importeve dhe eksporteve, ku nga ana tjetër do të ndikojë në të ardhurat tatimore mbi sektorin e tregtisë nga detyrimet e importit. Ndryshimet në kushtet ekonomike të partnerëve të mëdhenj tregtarë do të ketë një ndikim të rëndësishëm në ekonominë vendase dhe mbi të ardhurat taimore.

Së treti është vlerësimi i efektit të inflacionit dhe ndryshimit të çmimeve. Lëvizjet në nivelet e çmimeve kanë efekte të ndryshme në strukturën e taksave dhe mbledhjen e të ardhurave. Për shembull, inflacioni ka një efekt të paqartë mbi të ardhurat e biznesit, duke ndikuar në mënyra të ndryshme komponentët e të ardhurës së tatueshme, të tilla si: zhvlerësimet, llogaritë e arkëtueshme dhe të pagueshme, si dhe kostot e mallrave të shitura.

Për më tepër, ndikimi i inflacionit në të të ardhurat nga tatimet indirekte, në fund të fundit do të varet nga fakti nëse tatimi aplikohet si vlerë mbi njësine apo është proporcional mbi vlerën e mallit.

Së katërti janë disa kushte makro dhe mikro që ndikojnë ekonominë dhe tregun e Shqipërisë, të tilla si: mjedisi makroekonomik , ndryshimet e bazave tatimore, flukset tregtare, të ardhurat e biznesit, transaksionet e brendshme të mallrave dhe shërbimeve dhe ndryshimi i kërkesës për mallra të akcizës.

Parashikimi financiar nuk është i lehtë, por një qasje e strukturuar mund të ndihmojë parashikuesit të pyesin pyetjen e drejtë, duke pasur parasysh mjedisin dhe audiencën, si dhe të përdorin teknikat më të përshtatshme duke zbatuar mësimet nga një fazë parashikimi në fazat e ardhshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here