Home ALBANIA Evazioni, shmangia tatimore si përbërës të boshllëkut tatimor

Evazioni, shmangia tatimore si përbërës të boshllëkut tatimor

1048
0
SHARE

Dekadën e fundit, autoritete të ndryshme fiskale, apo organizata joqeveritare kanë studiuar ekonominë informale, evazionin fiskal dhe ndikimi direkt dhe indirekt në nivelin e boshllëkut tatimor. Në disa vende ka përcaktime të ndryshme të lidhura me sqarimin e boshllëkut tatimor, por që përmbajnë të njëjtin kuptim. Përcaktimi i boshllëkut tatimor konsiderohen në më të shumtën e publikimeve si një shumë tatimesh dhe taksash të pambledhura, si pasojë e mosrespektimit të ligjeve dhe boshllëqeve të ligjeve dhe administrimit.

Llogaritja e boshllëkut tatimor nuk merr në konsideratë faktin e pagesës ose jo të tatimeve dhe taksave. Në evidentimin e nivelit të boshllëkut tatimor janë përfshirë gjithë të ardhurat tatimore, që vijnë nga mosregjistrimi, mosraportimi, nga përdorimi i skemave të shmangies tatimore, gabimet në llogaritje të detyrimeve, gabimet e vetëllogaritjes nga tatimpaguesi, mangësitë dhe mungesa e vëmendjes së administratës në zbatimin e detyrave të saj.

Në rastin e Kosovës apo Shqipërisë, për aq kohë sa ka mungesë të përcaktimit zyrtar apo mungesë ballafaqimi me studime të publikuara nga organizata studimore dhe kërkimore, atëherë AL-Tax Center ka vendosur më poshtë një përcaktim që e konsideron si më të përshtatshmin në lidhje me qëllimet e vlerësimit të boshllëkut tatimor:

“Boshllëku tatimor është diferenca midis tatimeve dhe taksave, që duhet të konsiderohen si të pagueshme për të gjithë qytetarët dhe bizneset, dhe tatimeve dhe taksave që deklarojnë dhe paguajnë aktualisht brenda nje viti fiskal gjithë tatimpaguesit dhe që mblidhen nga administrata tatimore me burimet e saj dhe të agjentëve të saj”.

Boshllëku tatimor vjen si rezultat i moszbatimit të ligjeve dhe mungesës së vullnetarizmit në zbatimin e tyre nga taksapaguesit.

Nëse çdokush do të zbatonte vullnetarisht gjithë ligjet fiskale, atëherë nuk do të kishte hapësirë boshllëku tatimor midis kërkesave ligjore dhe zbatimit të tyre. Por, në rastin e kundërt, nëse hapësira midis zbatimit vullnetar të ligjeve fiskale dhe  mosbatimit vullnetar të tyre do të rritej (evazioni), po ashtu dhe boshllëku tatimor do të rritej. Në këtë mënyrë, madhësia e boshllëkut tatimor shkon në proporcion të drejtë me madhësinë e evazionit fiskal. Nga përllogaritjet e peshës që zë evazioni fiskal dhe politikat përjashtuese dhe lehtësuese në boshllëkun tatimor, raporti shkon nga 76 deri 90 përqind të tij.

Së pari, boshllëku tatimor nuk është shkaku, por pasoja e evazionit tatimor. Ai nuk barazohet vetëm me evazionin tatimor. Në matjen e boshllëkut tatimor nuk bëhet thjesht matja e evazionit tatimor. Vetë evazioni fiskal kuptohet me mospagesat e tatimeve duke mos zbatuar legjislacionin nëpërmjet përdorimit të (a) formave të deklarimit të gënjeshtërt të të ardhurave të realizuara nga qytetari apo biznesi, (b) mosdeklarimit dhe si rrjedhojë mospagesa e detyrimeve të pjesës së padeklaruar, (c) deklarim i gënjeshtërt i shpenzimeve më të larta.

Së dyti, boshllëku tatimor është pasojë edhe e shmangies tatimore, ku tatimpaguesit përdorin hapësirat ligjore, apo parregullsitë e skemave të përjashtimeve dhe lehtësirave fiskale, që kanë synuar tjetër qëllim (nxitje investimesh, rishpërndarje barre), por që i shërbejnë përdoruesit të tyre për uljen e shumës së detyrimit real.

Së treti, boshllëku tatimor ka lidhje me gabimet në llogaritjen e detyrimeve fiskale prej administratës, të pasuar dhe nga kultura fiskale në vend

Së katërti, boshllëku tatimor është pasojë e etikës dhe cilësisë së ulët të shërbimit të administratës. Kapacitetet e dobëta të administrimit, vëmendja e pakët ndaj ankesave të tatimpaguesve, si dhe korrupsioni në hierarkinë administrative bën të mundur ulje të shumës së detyrimit real për tu paguar dhe rritje të boshllëkut me zbatimin e ligjeve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here