Home ALBANIA Harmonizimi tatimor kundrejt konkurrencës tatimore

Harmonizimi tatimor kundrejt konkurrencës tatimore

369
0
SHARE

Taksat mbi kapitalin janë përdorur prej shekujsh për të financuar një input publik dhe të mira publike. Literatura e hershme mbi konkurrencën fiskale pohon se ajo çon në uljen e taksave në nivele të ulëta, por në mjaft raste nuk janë efikase.

Kështu, nëse krahu i punës është i palëvizshëm (nuk emigron), edukimi dhe shëndetësia që financohen nga buxheti i shtetit rritin produktivitetin e punës dhe janë në këtë kuptim një vlerë e shtuar publike në ekonomi. Por, në qoftë se krahu i punës është i lëvizshëm, atëherë edukimi dhe shëndetësia mund të konsumohen në vendin që e mirepret kapitalin njerëzor të furnizuar nga një vend tjetër.

Sipas të dhënave statistikore dhe raporteve për dekadën e fundit, vende si Shqipëria priren për të shpenzuar shumë në infrastrukturën publike, e cila tërheq kapitalin e lëvizshëm. Ndërsa, shpenzojnë shumë pak për mallrat e konsumit, të cilat i përfitojnë konsumatorët vendas.

Në mënyrë që të tërheqin investitorët e huaj, qeveria ka tendencë për të rritur shpenzimet publike duke kërkuar promovimin direkt të produktivitetit të kapitalit të lëvizshëm (infrastruktura publike). Në të kundërt, shpenzimet e destinuara për sigurinë dhe mirëqenien sociale ofrohen nga buxheti me poshtë se sa kërkesa për to. Si rrjedhojë, konkurrenca fiskale midis vendeve mund të shkaktojë një ndryshim sistematik të të mirave publike.

Nga perspektiva si e shikon kapitalin njerëzor në veçanti dhe taksimin e tij, mund të supozohet se një investitor ndërkombëtar ndikohet ndër të tjera edhe nga kushtet e shëndetit publik dhe edukimit të vendit ku ai synon të investojë duke përmirësuar tërheqjen e tij për të. Për shembull, kompanitë shumëkombëshe mund të hapin aktivitetet e tyre aty, ku kujdesi mjekësor, dhe shëndeti publik është një e mirë publike e mirëppërdorur në favor të punonjësve. Nga ana tjetër, një fuqi punëtore më e shëndetshme dhe e mirarsimuar është më e shtrenjtë për sa i përket faktorit të kompensimit, të cilat mund të pengojnë investimet ndërkombëtare të bëhen konkuruese.

Qeveritë përpiqen për të tërhequr kapitalin e lëvizshëm jo vetëm duke ulur normat e taksave të kapitalit, por edhe duke ofruar inpute të tjera publike. Nga ana tjetër, mallrat publike dhe rishpërndarja e tyre janë të adresuara drejt faktorëve rezidencialë, duke i mundësuar qeverisë të pakësojë ofrimin e këtyre shpenzimeve, pasi është e rrezikuar seriozisht nga emigrimi i fuqisë punëtore, që përkthehet me humbjen e të ardhurave që vijnë nga ta.

Qeveria e çdo vendi tenton të adoptojë politika fiskale në mënyrë të izoluar për të kundërshtuar goditjet e veçanta prej vendeve të tjera, por këto politika kanë tendencë që gjithmonë të kenë efekte të mëdha që tejkalon kufijtë dhe vullnetin e një qeverie të vetme. Në kushte të tilla koordinimi i politikave fiskale është i pritshëm për të ndihmuar kërkesën dhe ofertën prej goditjeve dhe për të rritur efektivitetin e politikave fiskale të miratuara nga qeveria.

Shumica e përvojës tregon se qeveritë kanë tendencë për të ulur normat e tyre të taksave mbi kapitalin, ndërsa vende të tjera adoptojnë strategji të uljes së disa taksave. Vendet me një rezultat pozitiv të normës së tatimit në ekonomitë fqinje ballafaqohen me një presion më të lartë nga konkurrenca fiskale, e cila nga ana tjetër rrit gjasat që ata do të duhet të reduktojnë normat e tyre tatimore mbi kapitalin në vitet e mëvonshme. Në fakt, është dallimi në normën e tatimit nga vendet e tjera që është motivi kryesor për të ulur normën e taksave mbi kapitalin.

Një ulje në normat e taksave mbi kapitalin është e lidhur me një fluks të menjëhershëm të kapitalit dhe për këtë arsye është e lidhur edhe me një rritje të bazës tatimore të kapitalit vendas. Ndërkohë, vendet e tjera ballafaqohen me dalje jashtë vendit të kapitalit dhe pakësimit të të ardhurave (kapitalit) tatimore. Për shkak se objektivi i qeverisë është për të maksimizuar mirëqenien e qytetarëve të tij, ajo nuk arrin të ketë forcë të ndryshojë rrjedhën e këtyre ndikimeve të jashtme në sistemin fiskal vendas. Në këto rrethana politike për qeverinë mbetet të angazhohet në reduktimin e normës së tatimit të kapitalit, e cila bëhet strategjia dominuese në këtë “lojë me taksa”.

Në këtë lojë që nuk mbyllet kurrë, konkurrenca tatimore, në fakt ushtron presion mbi shpenzimet qeveritare që ato të ulen, sidomos për taksat e punës, por ky efekt mund të tejkalohet vetëm me aspekte të tjera të ‘globalizimit’. Për shembull, liberalizimi i tregtisë mund të ushtrojë presion për tu ulur pagat e punonjësve, veçanërisht për ata me kualifikim të ulët për shkak konkurrencës tatimore (të ardhurat tatimore nga pagat).

Konkurrenca tatimore është (i) e lidhur pozitivisht me shpenzimet për disa degë në sektorin e shërbimeve (transport dhe komunikim, si dhe kërkim dhe zhvillim), arsim dhe shëndetësi dhe (ii) të lidhura negativisht me shpenzimet publike për sigurinë dhe mirëqenien sociale, si dhe për strehimin dhe shërbimet për komunitetin.

Por në vend të konkurrencës tatimore, pse të mos ndërveprojnë vendet fqinje me njëri-tjetrin për të plotësuar dhe harmonizuar ato pjesë të ekonomisë dhe sistemit tatimor, që mungojnë në vendin tjetër?

Argumentet kryesore në favor të harmonizimit tatimor vijnë nga nevoja për t’u trajtuar ashtu si nevojitet lëvizja e kapitali përtej kufijve kombëtarë dhe problemit të njëkohshëm të kapitalit që është i vështirë për tu thithur dhe i vështirë për tu tatuar.

Harmonizimi tatimor është tërësi e rregullave (p.sh., baza uniforme, norma minimale, ose norma uniforme), të miratuara në mënyrë të koordinuar me qëllim reduktimin ose eliminimin e efekteve të konkurrencës tatimore. Përtej marrëveshjes mbi bazat ose normat, harmonizimin e taksave në ekstrem mund të përfshijë kompetenca të veçanta të përcaktimit të tatimit prej një autoriteti ndërkombëtar.

Harmonizimi tatimor mund të jetë i dëshirueshëm, por në situata të caktuara nuk mund të prodhojë efektet e dëshiruara, përmirësimin e mirëqenies. Për shembull, në qoftë se arrihet një koordinim i një norme tatimore (norma e njëjtë e tatimit mbi fitimin, e cila dakordësohet nga të gjitha vendet e rajonit dhe që është më e ulët se norma e tatimit të vendeve të tjera), atëherë në tërësi i gjithë rajoni përfiton duke konkuruar jo më me njëri tjetrin por me vendet e tjera të ngjashme për mallrat dhe shërbimet. Por në qoftë se rajoni është më i vogël se vendet e tjera, atëherë taksapaguesit e vendeve të rajonit do të ndihen më keq me normën tatimore të harmonizuar, pasi konsumi i sektorit publik dhe privat me të gjitha gjasat është ulur.

Sistemet tatimore as nuk përbëhen nga vetëm disa norma tatimore, por as nuk veprojnë në një vakum, të pavarur nga politika të tjera qeveritare, të tilla si investimet në infrastrukturë, shërbimet publike dhe institucionet qeverisëse. Si pasojë vendimet e investimeve të firmave dhe flukseve ndërkombëtare të kapitalit marrin parasysh faktorë të tjerë përveç normave për taksa te veçanta.

Në këtë drejtim ne duhet të konsiderojnë mundësinë e vendeve konkurruese në ofrimin e infrastrukturës së nevojshme me qëllim koordinimin e normave të tyre tatimore. Bashkëpunimi tatimor është i dobishëm dhe në funksion të përmirësimit të mirëqenies, në qoftë se i vetmi mjet i politikës me të cilën vendet konkurrojnë është norma e tatimit.

Megjithatë, në qoftë se vendet konkurrojnë (ose të bashkëpunojnë) me normën e tatimit dhe sigurimin e infrastrukturës, atëherë koordinimi e taksave në fakt nuk është më në funksion të përmirësimit të mirëqenies.

E gjithë kjo na lë në një gjendje ku është e paqartë se sa e dëmton një vend konkurrenca e taksave dhe për këtë arsye sa i nevojshëm është që përtej krijimit të një mjedisi mikpritës për kapitalin, sa është e nevojshme të kërkohet të harmonizohen taksat me vendet e tjera konkuruese.

Objektivat kombëtare dhe sovraniteti eventualisht e bëjnë politikisht të kushtueshme për të shkuar në një uniformitet të taksave apo harmonizim tatimor ne kushtet kur vendet kane shume diferenca qe ende kane mbetur te pazgjidhura.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here