Home ALBANIA Klasa e mesme shqiptare në zgjerim, por rreziku mbetet

Klasa e mesme shqiptare në zgjerim, por rreziku mbetet

Edhe pse ekonomia globale pozon rrisqe kërcënuese për klasën e mesme, si edhe për klasën punëtore do të mbetet sfidë e hapur përballimi i sfidave ekonomike dhe sociale që ne Shqiperi, ashtu si në cdo vend në zhvillim janë duke u përplasur në supet e tyre.

1365
0
SHARE

Klasa e mesme shqiptare ka kuptimin e klasës punëtore në Greqi dhe Itali, përsa i përket të ardhurave që fiton individi nga puna dhe kapitali. Në gjithë vendet e botës, nëse kërkon të gjesh një përcaktim të prerë apo përkufizim të klasës së mesme nuk gjen dot asnjë gjë që të ngjajë midis shteteve të ndryshme. P.sh. klasa e mesme amerikane në Britaninë e Madhe klasifikohet ajo kategori që i përket klasës punëtore. Kështu, me radhë krahasimet midis klasave në shtete të ndryshme kanë nivele e renditje të ndryshme.

Megjithatë, nëse mund të arrijmë të përcaktojmë dhe kuptojmë realisht atë grup të popullsisë që përfshihet në klasën e mesme, edhe për Shqipërinë do të vlenin kategorizimet që do të përshkruhen më poshtë.

Sipas metodologjisë që përdor Organizata Ndërkombëtare e Punës, për vendet në zhvillim, në të cilat përfshihet edhe Shqipëria, individët që përkufizohen si klasë e mesme konsiderohen ata që kanë të ardhura ditore nga 1.000 – 3.000 mijë lekë.

Sipas OECD, pjestarë të klasës së mesme konsiderohen individët që marrin të ardhura ditore që variojnë nga 1.200 – 12.000 lekë në ditë.

Studiesë të ndryshëm e klasifikojnë klasën e mesme të përbërë nga individë që kanë të ardhura ditore midis 75% – 125% të pagës mesatare në vend.

Por, përcaktimi i klasës së mesme vetëm nga të ardhurat që fiton në një vit nuk mund të quhet e plotë.

Edhe mirëqenia që gëzon një individ, për shkak të investimeve kapitale, trashëgimnisë, apo dhurimeve që përfiton gjatë jetës së tij, pavarësisht nga mosha konsiderohet një faktor që vlerësohet se e bën pjesë të klasës së mesme. Në rastin e përfitimit të statusit të një mirëqenie nga kapitali që arrin të në 60% të pasurisë që zotërojnë individët e pasur (ata që kanë bërë publike pasurinë), atëherë kjo kategori i përket klasës së mesme.

Një format tjetër që përdoret për ta përkufizuar edhe më tej klasën e mesme është nëpërmjet konsumit, apo cfarë një individ shpenzon. Kjo mënyrë llogaritje merr në konsideratë mirëqenien matëriale nëpërmjet matjes së konsumit, dhe përdoret nga profesori Notre Dame, J.X. Sullivan, i cili fut në shpenzimet e individit gjithë kategoritë përvec shpenzimeve mjekësore dhe arsimore, pasi konsiderohen sipas tij si investime dhe jo shpenzime të përditshme. Klasa e mesme është ajo që në shpenzimet që kryhen nga një individ janë në mes të shpenzimeve minimale dhe maksimale në një vend.

Një tjetër mënyrë për të përkufizuar edhe më mirë tiparet e klasës së mesme konsiderohet rasti i familjes që nga të ardhurat që fiton nga puna dhe kapitali ka arritur të zotërojë një banesë dhe makinë, të jetë duke investuar për sigurinë shëndetësore dhe edukimin e fëmijëve dhe të arrijë të pushojë familjarisht një deri disa herë brenda vitit.

Sipas një përcaktimi, i cili është më i vonshëm se mënyrat dhe përcaktimet e tjera, e perkufizon si klasë të mesme arritjen e një të ardhure mbi mesataren e popullsisë, në një moshë mbi të dyzetat dhe e fituar duke shfrytëzuar edhe aftësitë dhe njohuritë individuale ku përfshihen si edukimi në universitetet e mirënjohura, po ashtu edhe dhunti personale të individit edhe pse nuk ka edukim të nivelit më të lartë.

Nga të gjithë kategorizimet dhe mënyrat e përcaktimeve dhe kufizimeve, një individ në Shqipëri konsiderohet pak nga secili nga prezantimet, por që nuk është më poshtë se 75% e pagës maksimale në vend, apo nuk arrin të ketë të ardhura më shumë se 12.000 lekë në ditë pune, i cili shpenzon mbi nivelin 70 mijë lekë në muaj si dhe është në një status mirëqenie dhe sociale, si përshkrimi i familjes së shtresës së mesme.

Nga gjithë përcaktimet që tentojnë të kufizojnë sipas të ardhurave që përfitojnë individët në vende të ngjashme me Shqipërinë, arrihet në një të mesme të përcaktimit të klasës së mesme si një shtresë e popullsisë e cila është sa 10% – 12% e popullsisë së vendit dhe në Kosovë diku te 3 – 4% më e lartë se në Shqipëri. Ky nivel aktual përfaqësimi i klasës së mesme shqiptare konsiderohet me një rritje të paktën dy herë më të lartë nga sa ka qenë në fillim të viteve ’90.

Po cfarë vlere kanë statistikat dhe përkufizimet për situatën e klasës së mesme në vendin tonë?

Nga njëra anë, gjithë të dhënat synojnë të pasqyrojnë një panoramë të përfaqësimit të klasës së mesme sipas treguesve të të ardhurave nga puna dhe kapitalet. Nëpërmjet kësaj arrihet të perceptohet nga secili për përkatësinë reale në klasën e mesme.

Nga ana tjetër, nëse fillojmë të krahasohemi me përfaqësimin e klasës së mesme në botë arrijmë të kuptojmë edhe peshën dhe ndikimin e nevojshëm që duhet të ketë kjo shtresë në politikën dhe vendimarrjen për mirëqenien dhe nivelin e jetesës.

Ndërsa, në vendet e zhvilluara klasa e mesme po konsiderohet se po shkrihet (njësoj si shkrirja e akullnajave) midis dy poleve sociale (të pasur dhe të varfër), në Shqipëri dhe vende të ngjashme me të klasa e mesme është në fazat e saj të rritjes dhe zgjerimit në shoqëri.

Kështu, në për këto dy dekada të fundit, në Europë klasa e mesme është ulur me 10%,ndërkohë që në SHBA ulja e përfaqësimit të klasës së mesme është me 8%. Në vendet aziatike klasa e mesme është rritur me 3.5 herë. Në vendet e Amerikës Latine ajo është rritur në nivele të papërfillshme, ndërkohë që në vendet e Lindjes së Mesme dhe në Afrikë rritja e klasës së mesme është me 8%.

Nga një krahasim i treguesve të rritjes së prezencës së klasës së mesme në vende si Shqipëria me vende të zhvilluara tregon një fakt të rëndësishëm se pabarazia e të ardhurave midis shtresave sociale nuk po tenton të rritet në të njëjtin nivel që po ndodh në vendet e Bashkimit Europian dhe më gjerë në SHBA e Kanada. Megjithatë, rrisku që kanoset për klasën e mesme shqiptare është i lidhur me frikën për të rrëshkitur më lehtë drejt shtresës së varfër, sesa në drejtëimin tjetër.

Megjithatë, aktualisht nga të dhënat që prezanton koeficienti GINI për Shqipërinë vërehet se shpërndarja e të ardhurave midis shtresave sociale është më e ekuilibruar se në Bosnjë, Maqedoni, Serbi, vendet e BE-së, SHBA apo edhe se Kina e vende të tjera në zhvillim të shpejtë ekonomik.

Konsolidimi dhe zgjerimi i klasës së mesme në Shqipëri duke u shndërruar në një grup shoqëror i stabilizuar mund të përbëjë një bazament të qëndrueshëm për progesin e ekonomisë duke ndikuar në një masë të konsiderueshme (por pas klasës së varfër) në rritjen e konsumit dhe kërkesës së brendshme për mallra dhe shërbime. Rritja e klasës së mesme në Shqipëri, Kosovë e më gjerë mund të ndikojë në të ardhmen e ekonomive të dy vendeve, që të ndryshojë orientimi i një pjese të produktit të brendshëm të kthehet në objekt konsumi brenda vendit dhe trojeve shqiptare.

Por, përvec fuqisë potenciale konsumatore, klasa e mesme në rritje do të shërbente edhe për të ndryshuar rolin dhe ndikimin në jetën sociale dhe politike të vendit. Klasat e mesme kudo ku kanë krijuar stabilitet kanë qenë mbështetëset e demokracisë dhe progresivitetit nëpërmjet poltikave të moderuara të zhvillimit ekonomik të vendeve të tyre. Klasat e mesme të forcuara munden të ndikojnë proceset politike duke qenë mbështetëse të politikave që promovojnë zhvillimin e ekonomisë nëpërmjet rritjes së standartit të jetesës së qytetarëve të vendit.

Edhe pse ekonomia globale pozon rrisqe kërcënuese për klasën e mesme, si edhe për klasën punëtore do të mbetet sfidë e hapur përballimi i sfidave ekonomike dhe sociale që ne Shqiperi, ashtu si në cdo vend në zhvillim janë duke u përplasur në supet e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here