Home ALBANIA Shtrembërimi i ekonomisë nga akciza është relativisht i vogël

Shtrembërimi i ekonomisë nga akciza është relativisht i vogël

342
0
SHARE

Tiparet dalluese të akcizës janë selektiviteti në mbulimin e mallrave të caktuara, diskriminimi në qëllim dhe shpesh një formë e matjes sasiore në përcaktimin e detyrimit tatimor. Taksat specifike për mallra të referuara, si konsiderohen akcizat janë ndër format më të vjetra të tatimit në botë.

Akciza e kripës, për shembull u konsiderua si një minierë ari për sovranët evropianë gjatë Mesjetës, sepse burimet e furnizimit ishin të pakta dhe ato mund të kontrolloheshin lehtësisht. Interesante është rëndësia e tatimit të akcizës në shekujt XVI-XVII, e cila i detyrohet holandezëve, të cilët detyrimet mbi birrën, sheqerin, kripën, pijet alkoolike dhe mallra te tjera i quajtën excijsen.

Nga “la terre Classique de la fiscalite”, që quhej në atë kohë Hollanda, akcizat u përhapën në vendet e tjera evropiane. Shumë shtete gjermane, për shembull ndoqën modelin holandez dhe suksesi i dukshëm i “tatimit të ri” ‘gjithashtu çoi në futjen e tij në Angli dhe kolonitë e saj, duke përfshirë edhe hyrjen e akcizës në tokat ku sot është SHBA.

Në Evropë, gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë shumë nga akcizat e “vogla”[1] u hoqën apo u bashkuan me taksat e përgjithshme për mallrat dhe shërbimet, shpesh të referuara si taksa e shitjes, të cilat janë futur gjerësisht në pjesën e parë të shekullit XX dhe u transformuan në taksën mbi konsumin e përgjithshëm ose taksa mbi vlerën e shtuar gjatë viteve 1970 dhe 1980.

Akcizat e “mëdha”  në produktet e duhanit, pijeve alkoolike dhe produkteve të naftës kanë mbetur po njësoj gjatë dekadave ashtu si zbatohen edhe sot, por pak vëmendje i është dhënë atyre në literaturën profesionale.

Politika e akcizës ka ndryshuar shumë në vitet e fundit, kryesisht për shkak të rritjes dhe ndërgjegjësimit mbi problemet mjedisore. Gazet që krijojnë efektin serë, për shembull kanë çuar planetin drejt ngrohjes globale. Ato janë krijuar nga djegia e fosileve, si qymyri, nafta dhe gazi natyror. Kjo ka nxitur një numër të madh studimesh, të cilat orientojnë vendet në përdorimin e “instrumenteve ekonomike”, të tilla si akcizat, për të kufizuar emisionet e gazrave të dëmshme. Si një shembull tjetër mund të konsiderohen kostot e perceptuara në ndihmë të shëndetit dhe kundra pirjes së duhanit, të cilat kanë detyruar Organizatën Botërore të Shëndetësisë për të orientuar një fushatë për reduktimin e  konsumit të duhanit, ndër të tjera me anë të një rritje në akcizën e duhanit.

Përgjithësisht, vështirësitë në nxjerrjen e të ardhurave nga baza e tatimit mbi të ardhurat kapitale për shkak të lëvizshmërisë më të madhe të kapitalit dhe efekteve deformuese të taksave të larta në tregun e punës kanë detyruar qeveritë e ndryshme për të rishqyrtuar potencialin e akcizës, duke zëvendësuar me këtë rast tatimin mbi të ardhurat.

TVSH-ja aplikohet vetëm për të rritur të ardhurat, ndërsa akcizat shpesh justifikohen edhe për arsye të tjera, ose shihet se i shërbejnë edhe qëllimeve të veçanta. Përtej kësaj, mbledhja e akcizës është e lidhur zakonisht me kontrollet fizike, ndërsa detyrimi TVSH verifikohet në përgjithësi nga kontrollet në librat fiskalë dhe provat e tjera dokumentare.

Tatimi i lartë i produkteve të akcizës për qëllime të të ardhurave gjithashtu ka një arsyetim ekonomik. Mungesa e zëvendësuesve për produkte që krijojnë varësi ose janë të domosdoshme në konsum, të tilla si duhani, alkooli dhe energjia tregon se kërkesa për to është joelastike.

Kjo do të thotë se potenciali për shtrembërimin e vendimeve ekonomike nga imponimi i tatimit të akcizës është relativisht i vogël. Teoria ekonomike përcakton se sa kohë që mallrat janë jo të varura nga konsumi, normat e taksave duhet të jenë më të larta mbi mallrat me elasticitetin më të ulët.

Ngarkesa tatimore e kostove të jashtme ndaj konsumatorëve apo prodhuesve është e njohur si receta Pigovian[2], e cila na thotë se konsumi ose prodhimi efikas mund të arrihet nëpërmjet sistemit të taksave duke imponuar një akcizë mbi veprimtarinë e cila është e barabartë me koston kufi te dëmit të shkaktuar te njerëzit e tjerë.

Le ta shikojmë këtë ndikim në jetën moderne.

Ngrohja globale nëpërmjet djegies së fosileve-karburante ndoshta paraqet rastin klasik për përfshirjen e kostove të jashtme përmes akcizës të projektuar në mënyrë të përshtatshme për tu vendosur mbi emetimet e karbonit, ose më pak drejtpërdrejtë mbi energjinë. Ndikimi i djegies së fosileve në ndryshimin e klimës globale është një “e keqe” e pastër publike. Dëmi i shkaktuar ndaj klimës globale është një funksion thjesht i shumës totale të dioksidit të karbonit dhe emetimit të gazeve të tjera serrë, të cilat janë të lidhura direkt me sasitë e ndryshme të lëndëve djegëse dhe karakteristikat teknike të tyre.

Ky vëzhgim i ka detyruar vendet e ndryshme për të ridizenjuar taksat e tyre të energjisë në përputhje me objektivat mjedisore duke diferencuar akcizat e lidhura sipas llojit të lëndëve djegëse.

Një pyetje e rëndësishme në lidhje me tatimin e ndotjes[3]  është nëse tarifa doganore duhet të kalojë nivelet e Pigovian kur qeveritë kanë nevojë për të ardhura?

Konsideratat për të ardhurat në përgjithësi të çojë në taksat mbi mallrat që janë nën nivelet Pigovian. Arsyeja është se në modelin e tyre, të ardhurat e buxhetit të shtetit mblidhen më mirë nëpërmjet një takse uniforme mb gjithë konsumin. Me rritjen e nivelit të shkallëve tatimore, barra margjinale e tepërt e një takse Pigouvian rritet në krahasim me përfitimet e saj të jashtme. Për këtë arsye, tatimet e ndryshme ndaj ndotjes duhet të ulen nëse niveli i përgjithshëm i barrës fiskale rritet.

Për të siguruar neutralitetin fiskal, pavarësisht nëse produktet e akcizës janë prodhuar në vend apo janë të importuara, duhet të përfshihen në bazën tatimore të konsumit. Mbledhja e tatimeve të konsumit gjithsej, në të cilën përfshihet edhe vlera e akcizës është detyrë e politikës fiskale për të dizenjuar një taksim mbi konsumin, i cili duhet të harmonizojë dhe koordinojë efektin e prodhimit vendas me efektin e importit.

Në përputhje me rrethanat dhe duke synuar të bëhet në mënyrën që duhet, funksionit të shpërndarjes së burimeve të akcizës duhet t’i jepet prioritet mbi detyrën buxhetore të rritjes së të ardhurave nga taksat e konsumit. Por kjo supozon se akcizat korrigjuese reflektojnë kostot e jashtme dhe si të tilla duhet të jenë subjekt i normës standarde të TVSH-së.

Nëse shuma e akcizës tejkalon kostot e jashtme, atëherë do të rezultojë një TVSH shtesë në tejkalim te kësaj akcize dhe ajo pjesë e totalit të TVSH-së duhet të konsiderohet si pjesë e sistemit tatimor në vend që të konsiderohet si pjesë e TVSH-së.

Megjithatë, një tjetër çështje e politikës ka të bëjë me shkallën e dëshirueshme të harmonizimit të tatimeve në tregun rajonal të Ballkanit. Harmonizimi do të përmirësojë efikasitetin e shkëmbimit dhe do të zvogëlojë stimujt për rrëmbyer bazën tatimore të njeri – tjetrit[4]. Kështu, nëse lëndët djegëse për automjetet përdoren në procesin e prodhimit, harmonizimi i akcizës së këtyre produkteve zvogëlon shtrembërimet ndërshtetërore nga dallimet e akcizës të shkaktuara në strukturat e kostos

[1] quhen kështu, sepse ato dhanë relativisht pak të ardhura

[2] Një taksë Pigovian (Pigouvian) është një taksë që zbatohet në çdo aktivitet të tregut që gjeneron eksternalitete negative (kostot që nuk përcillen në çmimin e tregut). Taksa ka për qëllim të korrigjojë një rezultat jo efikas të tregut dhe e bën këtë duke vendosur një barazi në raport me koston sociale negative si ndikim i jashtëm në cmim.

[3] pirja e duhanit, pirja e alkoolit

[4] dmth vendosjen e normave të ulëta të akcizës për të tërhequr konsumatorët nga shtetet e tjera

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here