Home ALBANIA Treguesit ekonomikë dhe ndikimi në vendimmarrjen e investimeve

Treguesit ekonomikë dhe ndikimi në vendimmarrjen e investimeve

Gjatë periudhave recesioniste, treguesi që kap titujt kryesorë të medias është indeksi i konsumit, sepse ky tregues shpesh konsiderohet si çelësi që tregon më parë se çdo tregues tjetër që rimëkëmbja ekonomike është duke ardhur.

454
0
SHARE
Freshly harvested seasonal Fruits, with a Basket

Ndër treguesit botërorë me ndikim ekonomik, që mund të trondisin tregjet financiare janë çmimet e konsumit, prodhimi industrial, shitjet me pakicë dhe ndërtimet e reja. Të paktën 2 tregues kryesorë ekonomikë janë raporte që publikohen mbi baza javore, dhe ka më shumë se 20 çdo muaj dhe të paktën të njëjtët treguesë përsëriten çdo tremujor, gjashtë mujor dhe vjetorë.

Është pikërisht për shkak të këtyre treguesve, të cilët munden të ndikojnë vlerën e investimeve duke ndikuar te vendimmarrja e qeverisë që të ndërmarrë hapat e saj për të kontrolluar rrjedhën e informacionit të ndjeshëm ekonomik në funksion të investimeve.

Tridhjetë – dyzetë vite më parë pothuajse nuk përdoreshin udhëzime  e sqarime të treguesve në raportet ekonomike. Mungesa e rregullave të qarta për publikimin e këtyre treguesve me ndikim krijuan në vetvete klimën e përsosur për abuzim me to qe u forcua si zakon i keq ne vitet ne vijim.

Politikanët janë të interesuar pikërisht për këtë klimë abuziviste pasi përkon me përpjekjet e tyre për të kontrolluar publikimin e lajmeve ekonomike me qëllimin që të fitojnë pikë te votuesit.

A kemi me të vërtetë nevojë për kaq shumë tregues të ekonomisë?

Ekonomia e Shqipërisë është duke hyrë në një modelim kompleks të ekonomisë[1]. Asnjë tregues i vetëm nuk mund të sigurojë një tablo të plotë të asaj çfarë ekonomia është në të vërtetë. As nuk ka një kombinim të thjeshtë të treguesve, që sigurojnë një parashikim të plotë për të ardhmen. Në më të mirën e rasteve, çdo tregues mund të japë një pasqyrë të një sektori të caktuar të ekonomisë në një pikë të caktuar të kohës.

Por, nëse pjesët e të gjithë këtyre treguesve sektorialë ekonomikë mblidhen së bashku, ato japin një pasqyrë më të qartë të asaj se si ekonomia po ecën dhe ofrojnë po ashtu të dhëna se ku po shkon. Megjithatë, edhe në qoftë se do të keni në dispozicion çdo hap të informacionit ekonomik nuk do të thotë se keni zbuluar një formulë magjike, që mund të parashikojë se çfarë nivel konsumi do të realizohet, apo çfarë inflacioni dhe normë interesi do të jetë në muajt e ardhshëm.

Kjo për shkak se ka disa përjashtime të rëndësishme kur flasim për treguesit ekonomikë. Ato shpesh dështojnë për të na treguar një pamje të qëndrueshme të ekonomisë. Tregues të ndryshëm në të njëjtën kohë paraqesin sinjale kontradiktore për kushtet e biznesit. Dikush mund të tregojë përmirësimin e ekonomisë, ndërsa një tjetër mund të tregojë një përkeqësim të saj. Për shembull, qeveria mund të raportojë një rënie të nivelit të papunësisë, normalisht një shenjë e forcimit dhe rimëkëmbjes për ekonominë. Megjithatë, një raportim tjetër mbi punësimin mund të tregojë një ose pak ditë më vonë se kompanitë po bëjnë pushime masive nga puna. Lexuesi dhe ata që duan të ana;lizojnë tendencat dhe të ardhmen ndodhen në këtë moment në një situatë ku janë prezantuar dy treguesë kontradiktorë mbi kushtet e tregut të punës, për të njëjtën periudhë kohore.

Cilët treguesë duhet të besoni atëherë?

Konfuzioni nuk ndalet këtu. Një tjetër komplikim, që trondit besimin e investitorëve dhe ekonomistëve është fakti se njerëzit mund të sillen natyrshëm kundër intuitës së tyre. Mjafton ti referohemi dy treguesve që kanë të bëjnë me (a) besimin  konsumator dhe (b) shpenzimet e konsumit. Treguesi i parë mat disponibilitetin në përgjithësi të blerësit të mundshëm, duke na treguar nëse ata janë optimistë për ekonominë, që do të thotë një sjellje konsumatore që tregon se do të shpenzohet më shumë. Nëse ka mungesë transparence dhe përhapje të frikës dhe pasigurisë për të ardhmen, atëherë intuinta do t’i bëjë njerëzit të besojnë se duhet të frenojnë shpenzimet dhe të fillojnë të kursejnë për kohë të ardhme më të mira.

Por, kjo nuk është logjika që në fakt konsumatori tregon aty jashtë në botën e vërtetë.

Gjatë viteve të fundit dhe të mesit të dy dekadave më parë, besimi i konsumatorëve shqiptarë qëndroi në nivele të larta, duke arritur madje nivele të papara në dekada të tëra. Të njëjtët konsumatorë, që janë edhe sot, në ato vite jo vetëm refuzuan të shkurtojnë shpenzimet e tyre, por ata shpenzuan një shumë parash që në fakt ata nuk e zotëronin në duart e tyre duke vepruar kunder intuites se tyre.

Natyrisht, që indikatori i sjelljes konsumatore për periudhën të cilën u mor si shembull nuk mundej të përcaktonte panoramën e plotë për shpenzimet e konsumatorëve vetëm duke monitoruar gjendjen psikologjike të familjeve shqiptare. Prirja për të shpenzuar në atë kohë,por edhe në vitet më pas mund të konsiderohet se u ndikua nga shumë faktorë, duke përfshirë rritjen e të ardhurave personale, sigurinë në punë, normat e interesit për depozitat, vlerat e ndërtimeve, marëdhëniet e pronësisë së vlerave kapitale, si dhe faktorë që lidheshin me politikën dhe vullnetin e saj për zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Në përgjithësi, treguesit më me ndikim, ata që me më shumë gjasa mund të konsiderohen si më të besueshëm dhe që përshkruajnë zhvillimin e kapitalit, shpenzimet e konsumit, importin dhe eksportin dhe tregjet monetare duhet që të përfshijnë disa nga karakteristikat në vijim:

Së pari duhet të jetë Saktësia e treguesit. Disa tregues ekonomikë janë të njohur të jenë më të besueshëm se të tjerët në vlerësimin e mirëqenies së ekonomisë. Ajo që përcakton saktësinë e tyre është e lidhur me mënyrën se si janë hartuar të dhënat. Shumica e treguesve ekonomikë janë të bazuar në rezultatet e anketave publike. Duke marrë një mostër të madhe dhe përfaqësuese kjo është de facto një parakusht për saktësinë.

Për shembull, për të matur ndryshimin e inflacionit të çmimeve të konsumit, Banka e Shqipërisë dhe INSTAT dërgojnë anketuesë dhe kryejnë intervista telefonike çdo muaj për të gjetur se si çmimet kanë ndryshuar për qindra artikuj dhe shërbime në qindra dyqane me pakicë në gjithë vendin. Një variabël tjetër është analiza e atyre rasteve që janë përgjigjur. Në këtë rast bëhet faktor shpejtësia e dhënies së përgjigjeve. Sa më i madh dhe i shpejtë të jetë  reagimi, aq më cilësore janë të dhënat dhe aq më pak nevojë ka për rishikime më vonë.

Në fund të fundit, pse duhet një investitor të investojë apo një kompani të punësojë punëtorë shtesë kur treguesit themelorë ekonomikë janë të dyshimtë?

Së dyti janë Afatet kohore të treguesve. Investitorët duan lajmet më fundit dhe të përditësuara mbi ekonominë, në mënyrë që ata të krijojnë besimin për atë që do të “prekin” me duart e tyre pasi të fillojë investimi. Të dhënat dhe treguesit që nuk përfaqësojnë informacionin më të fundit ngjallin dyshime për elementë dhe mekanima që nuk shkojnë mirë. Sa më i freskët të jetë informacioni, aq më e madhe është mundësia që investimi dhe zhvillimi të jenë të drejtuara në forma të sigurta dhe në sektorët e duhur për rikthimin e kapitalit.

Së treti është treguesi që përshkruan punësimin. Investitorët i kushtojnë vëmendje të vecantë raportit mbi situatën e punësimit.

Së katërti është Faza e ciklit të biznesit. Ka momente kur publikimi  i disa treguesve ekonomikë pritet me padurim të madh. Megjithatë, këto treguesë në raste të tjera bien më pak ne sy.

Përse këto treguesë ekonomikë herë janë në qendër të vëmendjes dhe herë nuk janë?

Përgjigja lidhet me faktin se më së shumti kjo varet se si është ecuria e ekonomisë shqiptare dhe ciklet e zhvillimit të secilit biznes[2]. Gjatë një krize apo stanjacioni të ekonomisë, që do të thotë tendecë drejt një rënie, kur ka shumë të papunë dhe kapacitet të ulët prodhimi, inflacioni nuk është problemi kryesor.

Kështu, treguesë të tillë, si: indeksi i çmimeve të konsumit, i cili vlerëson inflacionin në nivelin e shitjes me pakicë nuk ka të njëjtin ndikim në tregjet financiare në qoftë se ekonomia do të operonte me kapacitete të plota. Gjatë periudhave recesioniste, treguesi që kap titujt kryesorë të medias është indeksi i konsumit, sepse ky tregues shpesh konsiderohet si çelësi që tregon më parë se çdo tregues tjetër që rimëkëmbja ekonomike është duke ardhur. Pasi aktivitetet ekonomike kthehen në kapacitete të plota, treguesi i inflacionit, ashtu si IÇK kthehet në qendër të vëmendjes përsëri, ndërsa treguesit e tjerë bëhen më pak të rëndësishëm për momentin.

Një karakteristikë e rëndësishme është aftësia parashikuese. Disa treguesë kanë një reputacion të tillë që të diktojnë me sukses pikën e kthesës në ekonomi më përpara se të tjerët. Ne kemi përmendur se si shitjet e konsumit bazik, si dhe pasuritë e paluajtshme kanë karakteristika të tilla. Megjithatë, treguesë të tjerë më pak të njohur janë pararendës të një ndryshimi në aktivitetin e biznesit. Një tregues i tillë është porositë paradhënie për asetet.

Karakteristika e fundit e rëndësishme për ta bërë një tregues të konsiderohet i besueshëm është e lidhur me nivelin e interesit për investime në ekonomi. Në varësi të faktit nëse ju jeni një investitor, një ekonomist, një prodhues, apo një bankier, disa treguesë mund të jetë me interes më të madh për ju se të tjerët. Nga  monitorimi treguesve me interes sipas tipit të biznesit, kompanitë munden të vendosin nëse duhet ti zgjerojnë operacionet, të investojnë në inventare të reja, ose të mbyllin aktivitete.

Mund të jetë e vështirë për të besuar që gjithë operacionet dhe reagimet sipas ciklit ekonomik mund të shkaktohen nga vetëm një tregues i vetëm.

[1] Kompleksiteti në ekonomi do të thotë përqëndrim i njohurive pasurisë në një ekonomi

[2] Cikli i biznesit është një model i përsëritur në ekonomi, i cili përfshin si fazë të parë rritjen, e ndjekur nga dobësimi dhe recesioni, dhe në fund rifillon faza e rritjes

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here